Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 17:18

TIRANË – Një nga rrugët e kryeqytetit mori sot emrin e heroit kombëtar të Hungarisë, Janos Hunyadit. Në kuadër të Javës Hungareze në Tiranë, përmes  një ceremonie të organizuar nga Bashkia e Tiranës, kryebashkiaku Lulëzim Basha u shpreh se të dyja shtetet në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, ndajnë shumë virtyte, vlera e histori.

“Nën kurorën austro-hungareze u përgatit dhe u mbështet fuqishëm shpallja e Pavarësisë dhe u bënë përpjekje maksimale, ndonëse në fund të pafrytshme, për të mbajtur të bashkuar kombin shqiptar, në një shtet të vetëm. Tragjeditë që ndoqën kombin shqiptar dhe copëtimin e saj u përjetuan më vonë edhe nga vetë Hungaria. Dy vendet tona, sot rrethohen nga bashkëpatriotë nga të gjithë anët e kufirit. Në vitet ’30 miqësia mes dy vendeve dhe popujve tanë mori një kuptim tjetër, në bashkimin nën kurorën mbretërore shqiptare të shtëpisë mbretërore të Zogut, me shtëpinë fisnike të Apponyi-ve, në personin e Mbretëreshës Geraldinë, një fisnike hungareze dhe një mbretëreshë shqiptare, e cila ruan përjetë një vend të veçantë në zemrat e shqiptarëve”, tha Basha.

Kryebshkiaku theksoi se Hungaria është dhe një partnere dhe mbështetëse e fortë në anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe një shtet mik që lobon fuqishëm në njohjen e pavarësisë së Kosovës.  “Asnjë komb tjetër dhe asnjë elitë tjetër nuk bëri më shumë për 28 nëntorin e 1912 se sa ajo e Hungarisë. Festojmë me krenari këtë miqësi të vjetër dhe sukseset e të ardhmes që na presin nëpërmjet forcimit të kësaj miqësie, bilaterale dhe domethëniese, së kësaj miqësie në kuadër të Evropës së bashkuar, pjesë e së cilës besojmë se do të jemi së shpejti”, tha Basha.

Shumë shpejt, tha Basha, në një nga sheshet kryesore të Budapestit do të vendoset shtatorja e heroit tonë kombetar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, duke dëshmuar dhe njëherë, lidhjen e fortë që ekziston mes dy shteteve ndër vite. Zv/Kryetari i Bashkisë së Budapestit, Miklós Csomós, pjesëmarrës në këtë ceremoni, u shpreh se me vënien e emrit të heroit “Janos Hunyadi” në mes të Tiranës,  “ne po përkujtojmë aleatin e hershëm, po vendosim një kujtim të sukseseve madhështore ushtarake të kohërave të vjetra dhe vendosim një kujtim për ushtarët atdhedashës që dhanë jetën e tyre në beteja”.

Ministri i Kulturësm Aldo Bumçi, duke përgëzuar Bashkinë e Tiranës dhe atë të Budapestit, për marrëdhënien që kanë vendosur, tha se “marrëdhënive shekullore, e shumëfishtë mes dy kombeve, sot i shtohet një lidhje e cila mendoj se është lidhja më e bukur dhe më e fortë, lidhja mes dy kryeqyteteve, qendrave kulturore, ekonomike, politike të vendeve tona. Kjo është fjongoja e artë që lidh më shumë dy popujt e vendet tona”.(LajmeShqip.com)