Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 11:38

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot takim me Juliusz Janusz, delegat apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës. Në takimi u bisedua për një mori çështjesh që kanë të bëjnë me relacionet në mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, të cilat gjithmonë kanë pasur kontinuitet.

Duke evokuar historinë e këtyre relacioneve, kryetari Veseli theksoi se shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan që kanë mbajtur gjallë krishterimin katolik, edhe përkundër vështirësive të mëdha dhe se në momente të vështira për popullin tonë Selia e Shenjtë ka mbështetur Kosovën, sidomos në vitet e ’90-ta nën drejtimin e Papa Gjon Palit të Dytë.

Nga ana e tij delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës z.Janusz theksoi se Selia e Shenjtë e njeh realitetin e ri në Kosovë dhe mbështetë zhvillimet pozitive në vendin tonë.

Në këtë kontekst ai shtoi se ne i përcjellim zhvillimet në Kosovës, e cila ka një potencial të madh zhvillimi me faktin se ka një popullatë të re dhe qendrimi i saj në vend është domosdoshmëri për të ecur përpara në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës .

Në takim u bisedua edhe për çështjen e pranimit të Kosovës në UNESCO dhe me këtë rast kryetari Veseli kërkoi mbështetjen e Vatikanit për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.

Delagati papal nga ana e tij u shpreh se Selia e Shenjtë ka mirëpritur letrën e përbashkët të bashkësive fetare të Kosovës ku i kërkohet kësaj Selie mbështetja për këtë anëtarësim.

Më tutje ai shtoi se populli shqiptar ka një traditë të fuqishme të tolerancës, bashkëjetesës e bashkëpunimit mes religjioneve, e se mesazhi i kësaj tradite është i njejtë me mesazhin qëndror që synon të përqoj sot në botë edhe vetë Kisha Katolike nën drejtimin e Papa Françeskut.

Takimi i sotëm i kryetarit Veseli me delegatin papal është i pari i këtij niveli që ka pasur Kuvendi i Kosovës me Selinë e Shenjtë.