Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 09:15

Beograd – Dushan Janjiq, Koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, duke iu bërë një analizë ngjarjeve në veriun e Kosovës, ka theksuar se ato paraqesin një aksion të koordinuar.

“Siç kam dëgjuar nga një zyrtar, ata janë tanët, e nga tanët ka ngjyra të ndyshme, sepse shteti atje ekziston në forma të ndryshme. Pra, pa marrë parasysh se kush i ka sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kush i ka organizuar, është e qartë se kanë qenë të organizuar, është e qartë se kanë ardhur të gatshëm, është e qartë se kanë bërë më të keqën që kanë mundur të bëjnë”, ka thënë analisti serb, duke krahasuar edhe të njëjtat ngjarje me ato të katër viteve më parë.
“Ata kanë dërguar një pasqyrë të tillë edhe para katër vjetësh. Digjet i njëjti vendkalim, i vetmi dallim është se nuk po digjet edhe ambasada amerikane. Jam i bindur se bëhet fjalë për një ngjarje shumë të orkestruar, të cilën po e dirigjojnë disa violina nga Beogradi”, ka thënë për mediat, analisti, Dushan Janjiq.