Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 14:22

Beograd – Analisti serb, Dushan Janjiq, vlerësoi se për Serbinë po vijnë ditë të vështira. Ai tha se ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper nuk vjen në Beograd për të diskutuar për veriun e Kosovës, sepse për çështje e sigurisë dhe heqjen e barrikadave vendos NATO-ja në Bruksel.

Sipas Janjiqit, për Komisionin Evropian pranimi vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë është çështje e kryer dhe kjo vlenë për të gjitha vendkalimet kufitare rreth e qark Kosovës. Ai ka vlerësuar se me veprimet e fundit qeveria e Beogradit ka rrezikuar dukshëm procesin e integrimit evropian.

Dushan Janjiq ka thënë se historitë e sajuara nga Beogradi për gjoja një konferencë ndërkombëtare për Kosovën janë “rrëfime të pakuptimta të disa zyrtarëve serbë që mashtrojnë vetën dhe popullin në Serbi“.

Ai kujton zyrtarët serbë se me Planin e Ahtisarit kanë përfunduar definitivisht negociatat për statusin e Kosovës. Rrëfimet për një konferencë të re për Kosovën po lansohen vetëm për nevoja të brendshme, ka thënë analisti i njohur serb, Dushan Janjiq, për mediat e Beogradit. (LajmeShqip.com)