Lajme Shqip Tuesday, 06 March 2012 09:00

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha priti dje, në takim, pilotin shqiptaro-amerikan James Berisha, pas kthimit nga Eritrea, ku u burgos gjatë një prej fluturimeve në kuadër të misionit të tij sensibilizues “Të fluturosh për Kosovën”.

Prej pavarësisë së Kosovës, James Berisha ka përshkuar me avionin e ekuipazhin e tij kontinente të tërë për promovimin në opinionin botëror të pavarësisë së Kosovës.

Z. Berisha shprehu kënaqësinë që takohej përsëri me Kryeministrin Berisha dhe e falënderoi atë për mbështetjen personale dhe solidaritetin e treguar për lirimin nga burgu i Eritreas. “Do të doja që nëpërmjet jush t’i shprehja mirënjohjen  time edhe gjithë trupit diplomatik që u angazhua në lirimin tim,” u shpreh zoti Berisha.

Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë për lirimin e tij, vlerësoi misionin fisnik për promovimin e pavarësisë së Kosovës dhe mbi të gjitha, faktin se edhe pas kësaj, misioni i tij vazhdon.

Kryeministri Berisha theksoi se çështja e njohjes së Kosovës është me rëndësi për të gjithë. Kryeministri e siguroi atë se qeveria shqiptare do të vazhdojë të jetë gjithmonë e gatshme për të ndihmuar në rast nevojë çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Në këtë takim, zoti Berisha shoqërohej nga pjesëtarë të tjerë të angazhuar në këtë mision. (LajmeShqip.com)