Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 08:49

Prishtinë – Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet e zhvillimit, përfshirë edhe atë institucional, ka theksuar ambasadori i ri  gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, duke shprehur angazhimin e shtetit të tij  drejt tejkalimit të situatës në veri të Kosovës.
Ai është pritur sot në një takim njohës nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili i ka uruar mirëseardhje, bën të ditur zyra e shtypit e Kuvendit.
Kryeparlamentari Krasniqi i ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, kontributin e ambasadorëve të mëhershëm gjerman në Kosovë për mbështetje gjithëpërfshirëse të Gjermanisë për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, e duke u shprehur i bindur se këto marrëdhënie do të thellohen edhe më, gjatë mandatit diplomatik Reichel në Kosovë.
Krasniqi është shprehur mirënjohës për mbështetjen e shtetit gjerman për Kosovës, e në mënyrë të veçantë për  bashkëpunimin  e ndërsjellë institucional.