Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 16:18

Prishtinë – Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka kthyer prapa kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për debat parlamentar lidhur me krimet që kanë ndodhur në Kosovën e pasluftës, qofshin vrasjet e rënda të veprimtarëve të ndryshëm, krimet ekonomike dhe korrupsioni.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se kjo kërkesë duhet të qartësohet në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë të vendoset për procedimin e kësaj kërkese apo jo.

Krasniqi ka thënë se kërkesa e PDK-së nuk ishte e qartë dhe duhet që të sqarohet edhe më tej kjo kërkesë, ngase aktualisht është shumë e përgjithësuar.

Kërkesa e PDK-së për debat, vjen pas kërkesës së deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani për formimin e një komisioni hetimor për veprimtarinë e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës .

Por Krasniqi ka thënë se nuk merret me kërkesa individuale, por duhet që të procedohet sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit më 40 nënshkrime.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka sqaruar kërkesën që e ka bërë në emër të grupit parlamentar, duke thënë se nëse është nevoja do ta qartësohet edhe më shumë kërkesa për debat parlamentar, e pse jo edhe për formimin e ndonjë komisioni që do të merret me të gjitha krimet e kryera në Kosovë.

Ai ka mohuar në mënyrë kategorike që kërkesa e PDK-së, të jetë si kundërvënie e kërkesës së AAK-së për hetime për SHIK-un, kur dihet se më së shumti vrasje ka pasur në rajonin e Dukagjinit, i cili është bastion i AAK-së.

Por nga opozita, kërkesa e PDK-së për debat është konsideruar si marketing politik, për faktin se sipas tyre, Kuvendi jo që nuk është organ që merret me hetime, por madje duhet ta lërë të lirë drejtësinë të veprojë.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri thekson se kjo kërkesë e PDK-së është shumë konfuze, përderisa rikujton se është pikërisht LDK-ja ajo që ka pësuar më së shumti pas luftës me vrasjen e shumë veprimtarëve dhe njerëzve të afërt të ish presidentit Rugova.

Duke e viktimizuar LDK-në, Beqiri madje nuk heziton që të vë dyshime që brenda Kuvendi dikush po kërkon që të spastrohet me një deklaratë apo rezolutë.

Ndërkaq, shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini ka theksuar se formulimi dhe qasja e kërkesës së PDK-së është e gabueshme.

Ai ka theksuar se nuk duhet të përzihet kërkesa e PDK-së për debat me kërkesën e AAK-së për hetim të veprimtarisë së SHIK-ut, ngase në një rast të tillë, sipas tij, kjo do të shihet si përpjekje për ta relativizuar kërkesën për hetimin e SHIK-ut.

I pyetur pse të bëhet hetim vetëm për SHIK-un, kur dihet se kanë vepruar shumë shërbime tjera, përfshi edhe Sigurimin e Atdheut, Gjini ka thënë se nëse AAK-ja nuk e ka kërkuar këtë, atëherë mund ta kërkojnë grupet tjera parlamentare.