Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 13:16

Mitrovicë – Para pak çastesh në Leposaviq, ka filluar takimi i përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, ku është pritur të vendoset rreth pranimit të marrëveshjes së arritur midis KFOR-it dhe zyrtarëve serbë dhe rreth largimit të barrikadave, bëjnë të ditur burime të portalit LajmeShqip.com.

Marko Jakshiq, një nga liderët e serbëve në veri të Mitrovicës, ka akuzuar gjatë takimit në Leposaviq autoritetet e Beogradit për tradhti ndaj serbëve të Kosovës, bëjnë të ditur burimet. Sipas tij, serbët e Kosovës janë kundër marrëveshjes mes Tadiqit dhe Thaçit.

“Nuk mundet që tradhtia të ndodhë në errësirë. Takimi i përbashkët i katër komunave veriore duhet të jetë transparent. Na keni sjellur në një hapësirë ku ka vend vetëm për 120 njerëz, që është e pamundur te mbahet takimi. Jeni duke mbajtur takim pa anëtarët e këshillave komunalë dhe pa prezencë të mediave“, ka thënë Jakshiq që në fillim të takimit, citojnë burimet, duke shtuar se takimi është ndërprerë dhe se nuk dihet a do të vazhdojë.

Takimi ka filluar me vonesë përreth 35 minuta, ndërsa po merr pjesë edhe i ashtuquajturi kryetar i qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq dhe liderët e partive politike në veri.

Takimi është duke u mbajtur larg vëmendjes së mediave, ndërsa priten diskutime të tensionuara rreth pranimit të marrëveshjes, kanë thënë burimet. (LajmeShqip.com)