Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 18:16

Prishtinë- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot në Mynih ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Westerwelle, me të cilin diskutoi për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, zhvillimet në tri komunat veriore të Kosovës dhe situatën e përgjithshme politike në vend.

Ministri Westerwelle shprehu përkrahjen e Gjermanisë për Republikën e Kosovës në konsolidimin e mëtejshëm të saj në skenën ndërkombëtare, axhendën e saj evropiane dhe vazhdimin e dialogut teknik.

Ai inkurajoi bashkërendimin dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës me bashkësinë.

Presidentja e Kosovës Jahjaga ka potencuar se institucionet e Kosovës e shohin dialogun teknik me Serbinë si mënyrën e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje.

Ajo ka thënë, po ashtu, se përmes dialogut janë arritur një numër marrëveshjesh, që i adresojnë brengat e qytetarëve të të dy vendeve dhe ka kërkuar që ato të zbatohen në tërësi, duke respektuar praktikat më të mira evropiane.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se “është me rëndësi që dialogu të vazhdojë duke respektuar përfaqësimin e Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, në të gjitha marrëveshjet e arritura”.