Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 14:24

Prishtinë- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Evropian dhe ato duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi në Stamboll me presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen që Turqia po i jep Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se të dyja vendet duhet të zgjerojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në veçanti në fushën e tregtisë.

Ajo tha se Republika e Kosovës ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj dhe po luan një rol të rëndësishëm si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin e saj në këtë rrugë të integrimeve edhe me dialogun me Republikën e Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Ndërkaq presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl theksoi përkushtimin e vendit të tij për të thelluar më tej bashkëpunimin politik e ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Ai vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë në procesin e shtet ndërtimit dhe përsëriti zotimin e tij se shteti turk do të vazhdojë ta përkrahë njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidenti Gyl dhe Presidentja Jahjaga biseduan edhe rreth mundësisë së një vizite që presidenti turk do të zhvillojë në Kosovë dhe mënyrat e thellimit të bashkëpunimit të mëtejme ndërmjet dy vendeve, thuhet në një njoftim të presidencës.