Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 20:36

Berlin- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga takoi sot, në Gjermani, komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të Kosovës.

Ky takim u zhvillua në kuadër të Konferencës së 48-të të Sigurisë në Mynih, Gjermani, që shënon mbledhjen më të madhe për çështje të politikave të sigurisë në Evropë dhe ku marrin pjesë 70 delegacione qeveritare nga mbarë bota, liderë shtetesh dhe ekspertë të fushës së sigurisë.

Gjatë takimit, Jahjaga u ndal te procesi i dialogut për liberalizimin e vizave, kërkesa e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe për ndihmën dhe përkrahjen e BE-së për axhendën evropiane të Kosovës. 

Presidentja Jahjaga falënderoi z. Fule për nisjen e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, duke e çmuar këtë si një arritje të përbashkët që sinjalizon përkushtimin evropian për rrugën e qartë të Kosovës drejt integrimit dhe perspektivës të qartë për qytetarët e Kosovës.

Njëkohësisht, Presidentja Jahjaga përsëriti përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të adresuar problemet dhe për të gjetur zgjidhje që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Në takim, Presidentja Jahjaga theksoi se, zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat veriore të Kosovës qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe pakos së Ahtisaarit.     

Presidentja kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim, që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.