Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 14:17

Bratisllavë – Në Samitin e 18 të vendeve të Evropës Qendrore, në të cilin po merr pjesë edhe Kosova, sot foli kryetarja e vendit Atifete Jahjaga. 

Ajo, pasi falënderoi për ftesën e kryesuesit të samitit, kryetarit  sllovak Gashapareviq, theksoi se vetëm me përfshirje dhe bashkëpunim në çështjet kyçe me rëndësi për të ardhmen e regjionit do të mund të lëvizim përpara. 

Në vazhdim presidentja tha se duhet t’ia përkujtojmë vetes qëllimin dhe shkaqet për krijimin e Bashkimit Evropian. Evropa ka parë një progres gjatë pesë dekadave të fundit si asnjëherë më parë. Jo vetëm që vendet themeluese kanë vazhduar zhvillimin e tyre të qëndrueshëm, por Bashkimi ka ndihmuar tejkalimin e diferencave zhvillimore në Evropë duke u ofruar  ndihmë vendeve të cilat kanë ngecur për shkak të ngjarjeve të dekadës së kaluar.

“E ardhmja jonë është në BE dhe Republika e Kosovës është e përkushtuar për këtë vizion. Ne do të vazhdojmë të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit dhe promovues të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Si perceptim të këtij samiti, e vlerësoj faktin që kjo perspektivë është respektuar përsëri dhe ripërsëris falënderimin tim organizatorëve dhe vendeve pjesëmarrëse për ndihmën e dhënë vendeve aspiruese që të përafrohen më shumë me BE-në”, vuri në spikamë presidentja Jahjaga.

Duke vazhduar fjalimin, presidentja e vendit tha se zhvillimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe zhvillimin ekonomik, varet nga njëra-tjetra dhe, përkundër diferencave momentale dhe mospajtimeve të përkohshme rreth njohjes së realiteteve të reja, është mjet i nevojshëm për bashkëpunim dhe përparim të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës.

“Ne jemi shtete të vogla me vullnet të madh dhe caqe të qarta që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe që të shtojmë aktivitetin tonë drejt përmirësimit të sigurisë dhe stabilitetit të saj”, tha ndër të tjera Jahjaga.

“Perspektiva për anëtarësim e regjionit, e cila na unifikon të gjithëve, duhet të mbizotërojë mbi çfarëdo dyshimi rreth suksesshmërisë së politikës së derës së hapur, sepse kjo perspektivë tanimë ka prodhuar rezultate të cilat ishin të paimagjinueshme para një dekade”, tha ndër të tjera Jahjaga.