Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 12:54

Prishtinë-Presidentja Atifete Jahjaga tha sot, gjatë ceremonisë për përvjetorin e katërt të Pavarësisë, se “Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, e ka integritetin e vet territorial të garantuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, e ka subjektivitetin e plotë të përfaqësimit ndërkombëtar, ashtu si edhe të gjitha shtetet e tjera, në mënyrë të barabartë dhe në reciprocitet të plotë”.

Ajo theksoi se “Republika e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe i panegociueshëm, është një realitet tashmë i pranuar, që vlerësohet si faktor paqeje dhe stabiliteti dhe që konsiderohet si zgjidhja më e drejtë dhe e vetme”.

“Republika e Kosovës zhvillon marrëdhënie bilaterale me një varg shtetesh, ndërsa në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore është bërë një shembull i mirë që respektohet dhe nderohet”, tha presidentja kosovare.

“Të gjithë qytetarët, pa dallim, të ardhmen e Kosovës e shohin në integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi presidentja Jahjaga.

Në Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të Kosovës, që feston sot katërvjetorin e pavarësisë, sheshet “Skënderbej” e “Nënë Tereza”, janë të mbushur plot njerëz në festë dhe me parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Aty kanë dalë drejtuesit më të lartë të vendit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, si dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare e ambasadorë të akredituar. Në këtë festë të madhe, drejtuesit e institucioneve më të larta urojnë popullin e Kosovës. (LajmeShqip.com)