Lajme Shqip Wednesday, 08 May 2013 14:47

Beograd – Me Marrëveshjen e Brukselit s’humbë askush, ndërsa Prishtina do të bëjë gjithë çfarë duhet për vënien në jetë të Marrëveshjes, përfshirë edhe ndryshimin e ligjeve dhe të dispozitave, i ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gazetës serbe, “Novi magazin”.

Kjo gazetë citon Presidenten e Kosovës të ketë thënë se “Marrëveshja zgjon shpresën se politika në këto hapësira po kthehet nga e ardhmja dhe që në veri të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji”.

Ajo ka rikujtuar se përmes decentralizimit nga 38 komuna të Kosovës janë krijuar dhjetë me shumicë serbe, madje edhe me më pak se pesë mijë banorë. Siç citohet presidentja Jahjaga, ajo ka thënë se komunat kanë një autonomi të gjerë të vendosjes mbi financat, shëndetësinë, arsimin, gjyqësinë, policinë…

“Risi është se tani Serbia ka pranuar  dhe do të ndihmojë që në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës të zhbëhen institucionet dhe strukturat e deritashme ilegale dhe paralele dhe që në to, si edhe në gjithë territorin e Kosovës, të zhvillohen zgjedhjet lokale dhe të zgjidhen strukturat legale e legjitime të pushtetit. “Prishtina dëshiron që të gjithë serbët e Kosovës t’i trajtojë qytetarë të barabartë dhe t’i integrojë më shoqëri me vullnetin e tyre të lirë”, citon gazeta Jahjagën, e cila ka shtuar se rreth njëqindmijë serbë që jetojnë në jug të Ibrit tashmë janë integruar dhe pret që edhe ata 60 mijë në katër komunat në veri ta bëjnë këtë gjë.