Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 09:12

“Kombi shqiptar sot, 99 vjet pas ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së vendit, si rrallë herë gjatë historisë është i lirë në të gjitha trojet ku jeton. Populli shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, i ndërgjegjshëm për identitetin kombëtar, punon dhe vepron për të ardhmen e tij më të mirë për integrimin në strukturat euro-atlantike, për anëtarësim në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-në”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo vuri në dukje se shqiptarët, me fitimin e lirisë, krijuan të gjitha rrethanat të ndërtojmë një shoqëri demokratike, të kenë një zhvillim të mirë ekonomik dhe një përparim të përgjithshëm në të gjitha fushat e jetës. Sot, tha ajo, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë, komunikojmë lirshëm ndërmjet vete dhe duke i shembur të gjitha barrierat nga më të ndryshmet që në të kaluarën na mbanin të ndarë. 

“Pas pavarësimit të Shqipërisë, shpallja e Pavarësisë së Kosovës është arritja më e madhe e shqiptarëve në këtë shekull. Republika e Kosovës, e ndërtuar në parimin qytetar, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjërë. Idetë dhe synimet e rilindasve tanë, sakrifica sublime e të gjithë dëshmorëve ndër shekuj për të qenë ne sot të lirë dhe të pavarur u kurorëzua duke përshtatur ne sot filozofinë tonë politike me synimet e integrimeve euro-atlantike, me vlerat e civilizimit evropian, dhe me vlerat e demokracisë perëndimore amerikane”, tha Presidentja Jahjaga.

Duke folur për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë sot dhe në të ardhmen znj. Jahjaga tha se sot nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. “Axhenda e integrimeve evropiane na ndihmon shumë në konkretizimin e shfrytëzimit të të gjitha resurseve dhe potencialeve tona që si natyrë dhe begati na i dhuroi Perëndia”, tha ajo.

Në përgjigje të pyetjes për raportet me vendet fqinjë, me Maqedoninë, Malin e Zi, Presidentja Jahjaga tha se “Republika e Kosovës është realitet tashmë i pranuar dhe i respektuar nga të gjithë. Kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Nuk kemi çështje të hapura dhe kontestuese. Marrëdhëniet po i zhvillojmë sipas standardeve evropiane, duke i ndihmuar njëri-tjetrit që në një të ardhme të afërt i gjithë Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e BE-së”.

Po kështu znj. Jahjaga shprehu dëshirën për marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Republikën e Serbisë. “Kosova ka sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, të cilin e respektojnë të gjitha shtetet dhe këtë duhet ta respektojë edhe Republika e Serbisë. Me Rezolutën 1244 dhe me Marrëveshjen e Kumanovës, të gjitha strukturat e shtetit të Serbisë, përfundimisht, janë larguar nga Kosova. Serbia në mënyrë të jashtëligjshme po ndihmon strukturat e caktuara në tri komunat veriore të Kosovës. Ajo po e shfrytëzon lidhjen e drejtpërdrejt territoriale të këtyre komunave me Serbinë, duke bërë një diferencim të padrejtë edhe të paarsyeshëm me serbët e tjerë, që si komunitet jetojnë në komunat e tjera të Kosovës. Kjo veprimtari është e dëmshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për vetë interesat e komunitetit serb, i cili në numër më të madh ka jetuar dhe jeton edhe sot jashtë territorit të këtyre tri komunave veriore të Kosovës”, tha Presidentja Jahjaga.

Sipas saj, zgjidhja qëndron dhe do të gjendet vetëm në zbatimin e plotë të Planit të Ahtisaarit, që parasheh autonomi të gjërë në nivel komune, të cilat po i shfrytëzon shumica e komunitetit serb dhe shumica e komunave ku jeton ky komunitet. “Ashtu si edhe në gjashtë komunat e tjera, me shumicë etnike serbe, edhe në këto tri apo katër komuna në veri të Kosovës, duhet të mbahen zgjedhjet lokale, të zgjidhen përfaqësuesit legal dhe legjitim dhe të sundojë ligjshmëria dhe kushtetutshmëria. Ky territor sot, fatkeqësisht, ka mbetur nën ndikimin e grupeve kriminale dhe të kontrabandës dhe në ndikimin e grupeve radikale politike serbe që nuk dëshirojnë ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, por as më heret administrimin ndërkombëtar të Kosovës’, tha Jahjaga.

Duke folur për pretendimet për rindarjen e kufijve apo shkëmbimin e territoreve, Presidentja Jahjaga tha se “Kosova, ashtu si edhe të tjerët, i ka këta kufij të përcaktuar edhe me Kushtetutën e saj dhe të ish-Jugosllavisë, nga viti 1974. Administrata ndërkombëtare në vitin 1999, u vendos edhe me pajtimin e Serbisë, në këtë territor. Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, por edhe më herët, politikanë të Serbisë japin propozime për ndarjen e Kosovës, për shkëmbim territoresh, apo për shkëmbim të popullsisë. Këto teori gjatë dy shekujve të kaluar na kanë shkaktuar shumë vuajtje dhe dhimbje, shumë dhunë dhe shumë shkatërrim. Në kohën e integrimeve evropiane është anticivilizuese shkëmbimi apo ndarja e territorit dhe krejtësisht johumane është shpërngulja e popullsisë me qëllim të rigrupimit nacional”, tha Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shprehu shpresën se dialogu dhe bisedat që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë po jep rezultate dhe këtë e shikon si rrugën e vetme të gjetjes së zgjidhjeve që janë në interes të qytetarëve dhe në interes të dy vendeve tona.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë kthim prapa, por të dyja vendet do të ecin në rrugën e integrimeve evropiane, duke ndihmuar dhe jo duke e penguar njëra tjetrën”, tha Jahjaga.
Presidentja Jahjaga shprehu bindjen se së shpejti Kosova do të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në si vijëzim për qartësimin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në BE. (LajmeShqip.com)