Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 14:10

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në takimin me ambasadorin suedez, Lars Wahlund tha se Kosova kërkon marrëdhënie kontraktuale me BE-në që do të ndihmonte vendin në adresimin e sfidave aktuale dhe vazhdimin e procesit të reformave. Presidentja e vendit po ashtu vlerësoi se ndarja e Kosovës dhe çfarëdo riaranzhimi i brendshëm nuk është opsion, meqë do ta destabilizonte gjithë rajonin.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se presidentja Jahjaga e vlerësoi lart ndihmën që Suedia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e saj si dhe për procesin e përafrimit të vendit me BE-në.

Ajo tha se Kosova kërkon marrëdhënie kontraktuale me BE-në që do të ndihmonte vendin në adresimin e sfidave aktuale dhe vazhdimin e procesit të reformave.

Më tej presidentja Jahjaga ka thënë se dialogu me Serbinë është plotësisht teknik dhe se dëshiron që të shoh një proces të suksesshëm i cili do të ndihmonte në përafrimin e të dyja vendeve me BE-në.

Ajo tha se çështja e veriut të Kosovës është çështje që ndërlidhet me sundimin e ligjit dhe theksoi se ndarja e Kosovës dhe çfarëdo riaranzhimi i brendshëm nuk është opsion, meqë do ta destabilizonte gjithë rajonin.

Në takimin me presidenten e Kosovës, ambasadori Wahlund theksoi mbështetjen e vendit të tij për dialogun e Kosovës me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja.
Ambasadori suedez e përgëzoi presidenten për zgjedhjen në krye të vendit dhe i shprehu gatishmërinë e Suedisë për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat, në veçanti në proceset integruese euroatlantike.