Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 18:28

Prishtinë- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i dërgoi sot një letër Presidentit të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Caterine Ashton, dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, pas vendimit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij, që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës”, thotë në letër Presidentja Jahjaga.

Në një njoftim të zyrës së shtypit të Presidencës thuhet se Presidentja e Kosovës shprehet se “çfarëdo përpjekje e Republikës së Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore Evropiane. Si të tilla këto përpjekje janë të papranueshme dhe ilegale”.

Duke shprehur shqetësimin e saj të thellë me paralajmërimet e Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, Jahjaga thekson se “Serbia shkel sovranitetin e shtetit tim, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës”.

Presidentja e Kosovës nënvizon se “procesi i zgjedhjeve lokale dhe çdo lloj zgjedhjesh të tjera në Republikën e Kosovës, përcaktohet nga institucionet e saj dhe me ligjet e Kushtetutën e Republikës dhe ato zhvillohen në gjithë territorin e Kosovës”. Presidentja Jahjaga i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)