Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 13:10

Prishtinë – “Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria duhet të shtrihen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha sot Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një deklaratë me rastin e 9 Prillit, Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ajo tha se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit më të lartë juridik të vendit, katër vjet më parë, është një akt historik që shpreh vullnetin e popullit të Republikës së Kosovës.

“Duke qenë garanti i të drejtave dhe i lirive të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, garanti i fjalës së lirë, i lëvizjes së lirë dhe i sundimit të ligjit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka hapur rrugë zhvillimit të vendit tonë në të gjitha fushat”, theksoi Jahjaga.

Mbështetur mbi këtë dokument fondamental, vijoi ajo, Kosova po ndërtohet mbi bazat e një shteti ligjor, që sundimin e ligjit e ka parim themelor të funksionimit të saj dhe që respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve bëhet vlerë e lartë e shoqërisë sonë.

“Ndërtimi i shtetit ligjor kërkon përpjekje dhe përfshirje të vazhdueshme të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë në Republikën e Kosovës, të njerëzve të barabartë që respektojnë atdheun e tyre”, u shpreh Presidentja kosovare.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria duhet të shtrihen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe tre komunat në veri të vendit, dhe qytetarët e shtetit tonë, pavarësisht përkatësive të tyre, duhet të ndjehen të barabartë dhe të mbrojtur me Kushtetutë.