Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 17:39

Prishtinë-“Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur”.

Ka qënë kjo deklarata e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë takimit të zhvilluar sot me përfaqësuesin e BE-së në dialogun ndërmjet Prishtinë-Beograd, Robert Cooper.

Siç njoftohet edhe në faqen zyrtare të presidencës, në takim merrnin pjesë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe drejtori për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin Evropian për Veprim te Jashtëm, Fernando Gentilini.

Presidentja Jahjaga tha se dialogu po zhvillohet ndërmjet dy vendeve të pavarura dhe sovrane dhe në reciprocitet të plotë për të gjitha çështjet. Ajo tha se zgjidhjet që dalin nga dialogu duhet të jenë zgjidhje në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe ato duhet të garantohen nga BE-ja.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, tha se dialogu në Bruksel, me lehtësimin e BE-së, nuk po zhvillohet për statusin e Kosovës por për çështje teknike, të interesit të përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe adreson çështje konkrete.

Ajo tha se përfaqësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare duhet të bëhet me emrin me të cilin është njohur ajo nga 87 vendet e botës dhe me emrin me të cilin Republika e Kosovës vendos marrëdhënie bilaterale, si shtet sovran dhe i pavarur.

Përfaqësuesi i BE-së tha se dialogu ka arritur një përparim të caktuar dhe se marrëveshjet kanë filluar të zbatohen gradualisht. Ai u interesua në veçanti për qëndrimin e Presidentes për çështjen e përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)