Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 21:00

Prishtinë – “Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një miqësi të përjetshme që është garanci e stabilitetit dhe e paqes në rajon”, theksoi Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ajo dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell, nënshkruan sot pasdite një Memorandum të Mirëkuptimit, për ndihmë të gjithanshme të SHBA-së për Kosovën.

“Falënderoj Qeverinë e SHBA-së për ndihmën e vazhdueshme që po i jep vendit tim në forcimin e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në përmirësimin e klimës së biznesit, për krijimin e vendeve të punës, për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe për përkrahjen e proceseve integruese rajonale dhe evropiane”, tha  Presidentja Jahjaga, pas ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit.

“Jemi të interesuar që në të gjitha këto fusha, për të cilat e kemi edhe ndihmën dhe përkrahjen e qeverisë së SHBA-ve, të bëjmë reformat dhe transformimet e nevojshme me të cilat i plotësojmë standardet që na mundësojnë të kemi institucione të përgjegjshme, demokratike dhe efektive”, tha Jahjaga.

Kjo, shtoi ajo, e përshpejton rrugëtimin drejt arritjes së qëllimeve tona strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në të gjitha organizatat e mekanizmat tjerë ndërkombëtar.

“Ne e vlerësojmë shumë ndihmën e popullit dhe qeverisë së SHBA-ve, që për këto 12 vjet, nëpërmjet USAID i ka dhënë 1.2 miliardë dollarë Kosovës në projekte të ndryshme të rindërtimit, të zhvillimit ekonomik, të nxitjes dhe forcimit të proceseve demokratike në vend, së bashku me ndihmat në fushat e tjera”, tha Presidentja Jahjaga.