Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 13:45

Prishtinë – “Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur përfundimisht do të jetë vend i rendit dhe i sundimit të Ligjit”, tha sot presidentja kosovare Atifete Jahjaga, nën organizimin e së cilës u mbajt takimi përurues i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Në mbledhje morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministra dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ambasadorë të shteteve të Kuintit e diplomatë të tjerë të akredituar në Prishtinë.

“Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit është një nismë dhe një mekanizëm i autoritetshëm, i nevojshëm krahas të gjithë mekanizmave të deritashëm ekzistues”, theksoi Jahjaga duke shtuar se betejën kundër korrupsionit do ta fitojmë, nuk kemi alternativë tjetër, këtë duhet ta bëjmë për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Presidentja tha se, “ishte plotësisht e bindur se në punën e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, do të ketë sukses të plotë të përbashkët”.

“Neve nuk na lejohet dështimi. Këtë nuk na e lejojnë qytetarët e Kosovës. Këtë nuk na lejojnë miqtë tanë ndërkombëtar që presin shumë dhe që i kanë dhanë përkrahje të parezervë kësaj nisme të Presidentes”, tha ajo.

Kryeministri Thaçi , po ashtu, shprehu besimin e plotë në suksesin e përbashkët, se ky këshill i themeluar në vitin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë e në prag të shënimit të 4-vjetorit të Kosovës shtet i njohur deri sot nga 87 vende, do të jetë mbështetës i fuqishëm dhe unifikues në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne nuk do të lejojmë që asnjë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës të shndërrohet në oazë të korrupsionit, të krimit të organizuar dhe kontrabandës. Është detyrë dhe obligim i të gjithëve të sigurojmë, që sidomos në veriun e Kosovës qytetarët e atjeshëm, që duan ta respektojnë ligjin dhe të jetojnë të lirë nga këto fenomene negative të mund ta bëjnë këtë”, theksoi ai.

Kryeministri Thaçi siguroi se institucionet e Republikës së Kosovës janë duke bashkëpunuar ngushtë me misionin e EULEX-it që sundimi i ligjit të vlejë për të gjithë njësoj në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se, “dëshironte që ky Këshill Kombëtar vërtetë të jepte këshilla dhe të ndihmonte institucionet kushtetuese, institucionet e pavarura, që kanë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore për të luftuar fenomenet negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar”.