Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 12:45

Prishtinë – Gjatë takimit me Grupin Drejtues Ndërkombëtar, në Prishtinë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se “Kosova nuk mund të ketë zona të hirta”. Sipas saj “Kosova ka integritetin dhe sovranitetin territorial të saj dhe nuk mund të ketë zona të hirta, ku ligjet dhe sundimi i ligjit do të zbatoheshin ndryshe nga ajo që zbatohet në gjithë territorin e Republikës”.

“Puna e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën është shumë e rëndësishme, sepse përcakton vlerësimin e progresit të arritur në Kosovë si dhe fundin e pavarësisë së mbikëqyrur për vendin tim”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo vlerësoi se “misionet ndërkombëtare në Kosovë që nga viti 1999 deri më sot, dhanë kontribut të rëndësishëm në rindërtimin e pas konfliktit dhe në ngritjen e kapaciteteve shtetërore të Republikës së Kosovës”.

“Edhe pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova pati nevojë për një lloj mbikëqyrjeje të butë ndërkombëtare, e cila ndihmon në ngritjen e kapaciteteve, në forcimin e proceseve demokratike dhe në axhendën tonë evropiane, duke marrë për bazë se misioni ndërkombëtar që vjen nga vendet evropiane do të sjellë këtu praktikat dhe standardet e vendeve nga vijnë që do të ndihmonte që Kosova të mos ngecë në këtë proces karshi vendeve të rajonit”, tha ajo.

“Ne duhet të kemi një plan të qartë të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës dhe ky plan nuk duhet të ketë fazë të ndërmjetme dhe të bartë kompetencat në cilëndo formë apo pjesërisht në ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar”, theksoi Jahjaga.

“Kosova duhet ta ketë rrugën e qartë të integrimit në Bashkimin Evropian”, theksoi Jahjaga, duke shtuar se është deprimuese për kosovarët, që të vetmit në rajon, të mos jenë të përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave.