Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 09:00

Prishtinë- “Republika e Kosovës, në katërvjetorin e saj të pavarësisë, e njohur nga 87 vende të botës, është një faktor i paqes dhe stabilitetit, me synimin e qartë të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe në BE, që do ta bënte vendin tonë pjesë të barabartë të familjes së madhe të kombeve”, tha Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në pritjen e dhënë për përvjetorin e pavarësisë.

Në këtë përvjetor të katërt të Pavarësisë së vendit, tha Jahjaga, “kujtojmë jo vetëm ditën e lindjes së shtetit tonë, por njëkohësisht po nderojmë edhe të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë, brezat e tërë që e ndërtuan vizionin e Kosovës së Pavarur”.

“Po shënojmë në këtë përvjetor, ngritjen dhe forcimin e miqësisë me të gjithë ata që e ndihmuan lindjen e shtetit të ri të Kosovës dhe që e hapën rrugën e perspektivës së re drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatshme”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo vuri në dukje se rruga drejt përfundimit të ndërtimit të shtetit është sa e gjatë, aq edhe me përgjegjësi dhe ne, gjeneratat e Pavarësisë së Kosovës, e kemi borxh që ta kryejmë atë.

“Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë qytetarë të barabartë kudo, në secilin cep të Kosovës, janë qytetarë me të drejta por edhe me obligime, me përgjegjësi qytetare për të ndërtuar vendin tonë”, tha znj. Jahjaga.

Ky katër vjetor, tha Presidentja Jahjaga, “le të na shërbejë që të ecim bashkërisht në rrugën tonë drejt avancimit të proceseve demokratike, me mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë ndërkombëtarë, duke u bërë një vend shembull i rendit dhe i sundimit të ligjit, një vend për të cilin ia vlen të angazhohemi, të punojmë çdo ditë që ta bëjmë më të mirë, më të bukur, më të përparuar”. (LajmeShqip.com)