Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 19:00

Prishtinë – “Kosova e pavarur është faktor stabiliteti në rajon”, tha presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në hapjen e konferencës dyditore “Germia Hill”, me pjesëmarrjen e shumë diplomatëve dhe personaliteteve nga e gjithë bota, përfshirë Shqipërinë dhe drejtuesit e institucioneve më të larta kosovare.

Presidentja Jahjaga theksoi se “Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, që tashmë është faktor stabiliteti në rajon, është e nevojshme të jetë anëtare e barabartë e të gjitha organizatave ndërkombëtare, e mekanizmave të sigurisë, me kapacitetet që janë trajnuar me standarde të NATO dhe të SHBA-ve, me qëllim të pjesëmarrjes së barabartë në misionet paqeruajtëse dhe humanitare nëpër botë”.

Sipas saj, si të gjitha shtetet e rajonit Kosova ka për synim integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Si shtet ne synojmë të ndërtojmë dhe forcojmë më tej partneritetin tonë strategjik dhe permanent me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ndajmë përkushtimin për vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Presidentja Jahjaga.

Kosova, vijoi ajo, ndjek politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet, ajo është ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare e racore, kanë të drejtat e barabarta.

“Si shtet ne respektojmë sovranitetin dhe integritetin e të gjitha shteteve të tjera. E kemi të normuar në Kushtetutë që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër”, tha  presidentja kosovare.