Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 14:14

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke folur për protestat e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vizitës së Borko Stefanoviqit në Prishtinë, ka thënë se nuk është e mirë për askënd, që nuk kemi krijuar mekanizmat e marrëveshjes, që nuk kemi krijuar rrethanat, që jo rruga, por institucionet të jenë vendet ku gjendet zgjidhja.
Jahjaga e bëri këtë deklaratë në Prekaz, gjatë shënimit të 30-vjetorit të rënies së Nebih e Tahir Mehës.
Ajo ka pohuar se Kosova po ndërton demokracinë, po promovon të drejtat dhe liritë qytetare, mirëpo në këtë kontekst nganjëherë nuk po e arrijmë atë që dëshirojmë.
“Mua si presidente e vendit më dhemb, kur edhe sot djemtë dhe vashat e Kosovës dalin nëpër rrugë për të demonstruar, për synimet e veta politike, apo për të paraqitur ndonjë kërkesë, apo për të parashtruar ndonjë brengë. Gjithashtu, është e dhimbshme që në anën tjetër i kemi policët tanë të Kosovës, që mbrojnë rendin dhe ligjin. Nuk është e mirë për askënd, që nuk kemi krijuar mekanizmat e marrëveshjes, nuk kemi krijuar rrethanat, që jo rruga, por institucionet janë vende ku gjendet zgjidhja”, ka deklaruar Jahjaga.
Ndryshe, gjatë protestës së organizuar dje nga Lëvizja Vetëvendosje janë lënduar 21 persona, 15 policë dhe 6 protestues.