Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 14:15

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj kanë vlerësuar se Kosova është shtet që siguron paqe dhe siguri në rajon, ndërsa janë zotuar për një politikë të jashtme më aktive dhe dinamike, me qëllim të shtimit të numrit të njohjeve.

Ministri Hoxhaj, i cili ishte i shoqëruar edhe nga disa prej ambasadorëve të Kosovës në shtete të ndryshme, i ka dorëzuar të mërkurën presidentes Jahjaga strategjinë për politikë të jashtme dhe për njohje, mbi bazën e të cilës do ta ushtrojë edhe rolin e saj si bartëse e politikës së jashtme.

Ndërkaq ministri Hoxhaj, fillimisht ka uruar Jahjagën për detyrën e re, duke thënë se mbështetja që ajo ka marrë në Kuvendin e Kosovës dhe mbështetja që ka nga qytetarët është mesazhi më i mirë brenda Kosovës, por është mesazh i mirë edhe për shumë shtete në çdo pjesë të botës.

Edhe Hoxhaj e ka potencuar nevojën për një politikë të jashtme më aktive, e cila për bazë do të ketë interesat shtetërorë të Kosovës.

 

Ai ka theksuar se strategjia për njohjet e Kosovës është punuar javëve të fundit dhe përbëhet nga tri pjesë, të cilat përfshijnë analizën e përgjithshme të Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ofron orientime dhe metodologji se si duhet të punohet në të ardhmen që Kosova të njihet nga më shumë shtete.

Po ashtu, në këtë strategji, përfshihet analiza për shtete të veçanta dhe arsyet pse ato vazhdojnë të hezitojnë në njohjen e Kosovës, pozita rajonale e këtyre shteteve, me cilat shtete kanë relacione dhe cilat personalitete kanë ndikim më të madh në këto shtete.

Pjesë e kësaj strategjie është edhe një plan konkret i veprimit, i cili parasheh vizita dhe pjesëmarrje në forume e konferenca të ndryshme ndërkombëtare të zyrtarëve më të lartë të Kosovës, presidentes, kryeministrit, kryeparlamentarit, deputetëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile, me qëllim që Kosova të ketë sa më shumë njohje.