Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:43

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Fernando Gentilini.

Gentilini e përgëzoi Presidenten për zgjedhjen e saj dhe theksoi se Kosova, sikurse rajoni, do ta gëzojnë përkrahjen e BE-së për të ardhmen evropiane.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e konsolidimit të pranisë së BE-së në Kosovë dhe largimit të referencës së Rezolutës 1244 ndaj Kosovës.

Ajo tha se Kosovës duhet që sa më parë t’i ofrohet marrëdhënia kontraktuale me BE-në dhe që procesi i liberalizimit të vizave të fillojë sa më parë, gjë që do të kishte edhe efekt në shpejtimin e reformave të brendshme.

Presidentja Jahjaga bisedoi me Gentilinin edhe për dobinë që ka bashkëpunimi i ngushtë i EULEX-it me institucionet e Kosovës, që do të garantojë suksesin e këtij misioni.

Lidhur me dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Presidentja Jahjaga tha se zgjidhjet duhet të jenë evropiane, në përputhje me Acquis Communautaire. Ajo tha se dialogu duhet t’i afrojë të dyja vendet në të njëjtën kohë drejt BE-së.

Presidentja Jahjaga po ashtu e ftoi BE-në që të përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë.