Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 12:14

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë zyrtare treditore në Bruksel, pati mbrëmë një takim të gjatë pune me Stefan Fyle, Komisionar i BE për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë.

Në takim u diskutua progresi i Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe mundësia e avancimit të Kosovës dhe BE-së në nivel kontraktual, në përputhje me rekomandimet e mëhershme të Komisionit Evropian.

Presidentja Jahjaga tha se marrëdhënia kontraktuale me BE-në do ta ndihmonte Kosovën në rrugën e integrimeve dhe në thellimin e reformave të brendshme.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet shtesë, që janë kërkuar për hapje të dialogut për liberalizim të vizave dhe theksoi nevojën e fillimit të këtij procesi pa vonesë.

Komisionari Fyle theksoi se Kosova duhet të intensifikojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave për integrim në BE.

Fyle, gjithashtu, e paralajmëroi vizitën e misionit vlerësues të Komisionit Evropian, për të parë zbatimin e obligimeve të Kosovës për hapjen e dialogut për liberalizim të vizave. (LajmeShqip.com)