Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 14:17

Prishtinë – “Po përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës, për të hapur vizionin e një shteti demokratik”, deklaroi sot, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në konferencën me temë “Kapitulli i mbyllur në Ballkan”. Sipas saj “Kosova ka kaluar në këtë rrugë jo pa vështirësi, por ka ditur që dallimet ti shndërrojmë në përparësi”.

“Shteti ynë ka rrënjë të thella në vlerat evropiane. Shtetndërtimi ynë është bazuar mbi parimet e larta të demokracisë, në respekt të lirive dhe të drejtave dhe në barazinë e të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. E ardhmja e Kosovës është e sigurt, si pjesë e pandashme dhe e barabartë e Evropës”, tha Jahjaga.

Ajo theksoi se “rruga e qartë evropiane për të gjithë rajonin, do të krijojë stabilitet të plotë në këtë pjesë të Evropës dhe do të ndihmojë në ndërtimin e urave të miqësisë mes popujve”.

“Pavarësia e Kosovës, shtetit më të ri në hartën e Evropës, është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti. Vendi ynë është promovues i fqinjësisë së mirë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe një shtytës i fuqishëm i reformave demokratike në rajon. Shteti demokratik i Kosovës po ndërtohet mbi parimet e fuqishme të rendit dhe të sundimit të ligjit”, vijoi Jahjaga.

Sipas saj “diversiteti etnik, fetar e kulturor është vlerë në Kosovë”. “Prej sot po marrim përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit, duke qenë të gatshëm për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona të përbashkëta historike, kulturore e fetare. Po hapim mundësi të reja për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë, mundësi për investime të jashtme, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e secilit. Synimi ynë është krijimi i një shteti të begatë dhe një tregu të lirë, ku secili të ketë mundësinë për të kontribuar dhe ku secili ta shohë të ardhmen e vet.(LajmeShqip.com)