Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 14:55

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, në Vilnius, Lituani, pati një varg takimesh me zyrtarë të lartë institucioneve dhe udhëheqës shtetesh.

“Presidentja Jahjaga pati një takim shumë miqësor me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, me të cilën diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi”, bëjnë të ditur sot burime zyrtare nga Presidenca kosovare.

Në takimin me Eshton ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.

Presidentja Jahjaga takoi gjithashtu kryetaren e Kuvendit të Letonisë, Salvita Aboltina. Në një bisedë të gjatë dhe miqësore, Presidentja Jahjaga dhe kryetarja Aboltina diskutuan për bashkëpunimin mes të dy vendeve dhe për intensifikimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Presidentja Jahjaga u takua edhe me presidentin e Mongolisë, Elbegdorj Tsakhia, me të cilin gjithashtu diskutoi për një varg temash me interes.