Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 12:57

Prishtinë – Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë për institucionet e Republikës së Kosovës dhe zgjidhja më e mirë për integrimin e kësaj pjese do të ishte përmes zbatimit të planit të Ahtisaarit. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që të bisedojnë me të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë edhe ata të Leposaviçit, Zveçanit dhe Zupinpotokut. Këto deklarata i bëri sot presidentja e Kosovës, Atihete Jahjaga, gjatë takimit të anëtarët e rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, veriun e vendit e ka vlerësuar si sfidë e madhe për institucionet e vendit. Ajo ka thënë se integrimi i komunitetit serb që jeton në atë pjesë të Kosovës mund të bëhet duke e zbatuar planin e Ahtisarit.

Ajo po ashtu ka shtuar se qytetarët serbë që jetojnë atje, duhet të çlirohen nga bandat kriminale që veprojnë atje, e që ua kanë ngulfatur të ardhmen e tyre.

Në këtë drejtim, ajo ka thënë se qytetarët serbë të asaj pjese, duhet të dalin në zgjedhjet që i organizojnë institucionet e Republikës së Kosovës për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim.

“Gjendja në tri komunat në veri të vendit vazhdon të mbetet një sfidë për ne. Ne besojmë se zgjidhja më e mirë për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës është përmes zbatimit të planit të Ahtisarit dhe procesit të decentralizimit. Komuniteti serb në këto tri komuna duhet të çlirohet nga grupet kriminale që mbajnë peng të ardhmen e tyre. Ata duhet të dalin në zgjedhjet legjitime që organizojnë institucionet e Kosovës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim. institucionet e Kosovës janë të gatshme të zhvillojnë dialogun me të gjithë qytetarët, duke përfshirë këtu edhe qytetarët e Komunës së Leposaviçit, Zubinpotokut dhe Zveçanit, për ta adresuar dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet”, ka thënë ajo.

Ajo i ka bërë këto komente gjatë një takimi me anëtarët e ri të Këshillit Konsultativ për Komunitete, ku tha se ky është një moment i rëndësishëm për institucionet e vendit dhe është rezultat i një procesi të hapur dhe transparent.

“Ky është një moment i rëndësishëm për institucionet, pasi që shënon vazhdimësinë e një organi shtetëror të konstituuar nëpërmjet një procesi demokratik. Kjo përbërje e re e Këshillit është rezultat i një procesi zgjedhor të hapur e transparent”, ka thënë ajo.

Predientja Jahjaga më tej ka shtuar se pret nga këta anëtarë pret që ky këshill në përbërjen e re të vazhdojë të përmbush misionin e tij ashtu si edhe deri tash, në prezantimin e drejtë të interesave të komuniteteve.(LajmeShqip.com)