Lajme Shqip Friday, 25 May 2012 16:40

Tiranë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Presidenti Bamir Topi kanë vizituar vajzat e plagosura nga aksidenti i së hënës pasdite në Himarë që ndodhen në Spitalin Ushtarak.

Presidentja Jahjaga ka shprehur solidaritetin e popullit kosovar për viktimat, të plagosurit dhe gjithë popullit shqiptar për këtë ngjarje, të cilën e cilësoi tragjike. “Bashkëndjejmë këtë dhimbje të madhe, të kapluar nga një tragjedi kaq e rëndë. Jemi me familjarët e viktimave, me gjithë popullin shqiptar për përballimin e kësaj situate të rëndë”, tha Jahjaga për mediat.

Duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, Jahjaga tha se “jemi me familjarët, me të afërmit e tyre, me kurajon që të gjejnë forcën, ngushëllimin, por asnjëherë duke harruar kujtimin e përjetshëm të më të dashurit të tyre, për rinënë e tyre dhe për ëndrrat e tyre”. Presidenti Topi tha se “ky solidaritet është parë në Shqipëri, Kosovë dhe në Austri, ku komuniteti kosovar ka treguar solidaritet, duke u qëndruar pranë vajzave dhe duke u siguruar strehim familjarëve. Kjo ka treguar se në situata të tilla jemi të ndjeshëm, por jo vetëm në situara të dhimshme, por dhe në të tjera, Shqipërisë dhe Kosovës zemra u rreh me të njëjtin ritëm”.

Topi tha se gjendja shëndetësore e vajzave paraqitet e përmirësuar dhe nga moment në moment mund të lënë spitalin, gjë që varet nga mjekët. (LajmeShqip.com)