Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 18:20

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e ka dënuar fuqishëm dëmtimin e varrezave hebraike në Prishtinë. Dëmtimi i varrezave paraqet një akt në kundërshtim të plotë me traditat e vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet. Ky akt i dëmtimit të varrezave të hebrenjve, ndaj të cilave qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë treguar përkujdesje të veçantë, është në kundërshtim edhe me qëndrimin e popullit shqiptar, i cili, edhe në periudhat më të rënda, i ka dalë në mbrojtje hebrenjve. Presidentja e Republikës u bën thirrje mekanizmave të sigurisë që të kapin autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë.

Gjithashtu, edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë.

“Ky sulm qyqar është një sulm kundër shtetit të Kosovës dhe mbi të gjitha është një sulm kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që e kemi kultivuar gjatë gjithë historisë sonë. Këto akte të ulëta janë të papranueshme për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Ju bëj thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që autorët e këtij akti të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar,” ka thënë Thaçi në një deklaratë.