Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 13:50

Prishtinë –  Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e dënon ashpër dhunën dhe dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në Jarinjë, nga një grup i qytetarëve të dhunshëm serbë.

Dëmtimi i objekteve kufitare dhe dhuna e ushtruar nga grupe të caktuara, që e pengojnë vendosjen e rendit dhe ligjit, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon normalizimit të situatës në komunat në veri të Kosovës.

Presidentja Jahjaga thekson se kjo dhunë çon drejt përshkallëzimit të situatës dhe dëmton përpjekjet e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të garantuar një jetë normale për qytetarët që jetojnë atje.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM), ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, garanton stabilitet për të dyja shtetet, fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare si dhe ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Kjo marrëveshje siguron qarkullimin e lirë të mallrave në përputhje me normat ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga vlerëson se marrëveshjet e arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të përkrahura fuqishëm nga SHBA-ja, duhet të zbatohen, sepse ato ndihmojnë në lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Presidentja Jahjaga i bën thirrje Republikës së Serbisë që të shuajë strukturat ilegale në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, të cilat po e mbajnë peng jetën e qytetarëve atje.    Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, kërkon nga institucionet e sigurisë rivendosjen e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Zyra per informin e presidentes se Republikes.(LajmeShqip.com)