Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 14:24

Me qëllim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Ajo iu bëri thirrje gjitha institucioneve që të shtojnë angazhimet në luftën kundër korrupsionit përderisa shprehu zotimin se do të ndërmarrë gjitha veprimet Kushtetuese në mënyrë që të tregohen rezultate në luftimin e korrupsionit që sipas saj po cenon tërë shoqërinë:

 “Aspekti i luftimit të kësaj dukurie që është duke e dëmtuar edhe imazhin e shtetit tonë nuk është vetëm detyrë e ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit por është detyre e të gjithëve pasi kërkon një mobilizim të përgjithshëm. Ta kemi një mobilizim të fuqishëm pasi kjo dhe kriminelët nuk duhet të jenë më të organizuar dhe më të lidhur se vetë shteti dhe vetë qytetarët tanë dhe institucionet tona, kështu që unë jam e pakompromis në këtë luftë”- u shpreh Jahjaga.

 Mbështetje themelimit të këtij Këshilli i dhanë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Ata shprehën zotimin se do të ndërmarrin gjitha veprimet për të shënuar rezultate në luftë kundër korrupsionit. Kryeministri Thaçi tha se qeveria ka në prioritet luftimin e dukurive negative.

Ndërkaq kryeparlamentari Krasniqi shprehu zotimin se legjislativi i vendit do të përmbushë gjithë kornizën ligjore që mundëson luftimin e korrupsionit pasi siç tha deri më tash  shoqëria dhe institucionet kosovare nuk kanë arritur të luftojnë në nivel të duhur asnjë formë të krimit të organizuar:

Këshilli Kombëtarë Antikorrupsion themelohet disa muaj pasi presidentja Jahjaga e paralajmëroi atë gjatë fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës. Idenë për themelimin e Këshillit ajo e kishte dhënë gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara. 

Presidentja tha se Këshilli nuk ka kompetenca ekzekutive por theksoi rëndësinë e tij pasi në përbërje ka udhëheqës të institucioneve ekzekutive. Këshilli Kombëtarë Antikorrupsion do të mbaje takime mujore ndërkaq do të publikojë raporte çdo tre muaj për përparimet në luftimin e korrupsionit.