Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 14:40

Kosovë – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi sot se “përurimi i kilometrave të parë në territorin e Kosovës të Rrugës së Kombit, të ndërtuar me standarde dhe parametra modern, është filli i një vepre të dëshiruar dhe të pritur shumë gjatë që Kosova dhe Shqipëria po e realizojnë sot”.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të 38 kilometrave të para të autostradës kosovare, në vazhdimin e Rrugës së Kombit, nga Durrësi në Morinë, Jahjaga tha se rruga është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe të shteteve dhe lidhja jonë në korridoret e rëndësishme evropiane.

“Sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve tanë për të qenë bashkë si të gjithë popujt që mbështesin vlerat evropiane dhe që ndërtojnë ura bashkëpunimi. Ndërtimi i autostradës sipas standardeve evropiane me mjetet e buxhetit të shteteve tona, tregon përgjegjësinë dhe përkushtimin e institucioneve, si dhe mirëkuptimin e sakrificën e qytetarëve, që të gjitha mjetet e potencialin që e kanë ta vënë në funksion të zhvillimit, të mirëqenies dhe të stabilitetit”, deklaroi ajo.

Presidentja kosovare u shpreh se ndërtimi i kësaj rruge është realizim i një ëndrre shekullore.”Ne sot po e realizojmë një ëndërr. Një vepër të një vlere të pakrahasueshme morale që çon në afrimin e njerëzve dhe ju shërben qytetarëve dhe vendeve tona. Po e dëshmojmë se mund t’i përballojmë të gjitha vështirësitë dhe se mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë”, përfundoi Jahjaga.