Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 19:00

Prishtinë – Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, tha sot se “Ahtisaari Plus për veriun nuk është opsion sepse do të rrënonte arritjet në Kosovë dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të çonte drejt ndarjes”.

Në takim me një delegacion të deputetëve të Unionit Inter-Parlamentar të Britanisë së Madhe, ajo tha se institucionet e Kosovës, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, janë të përkushtuara që të vendosin sundimin e ligjit në komunat në veri të Kosovës, me qëllim të ofrimit të pakos ekonomike dhe të përfitimeve kushtetuese për qytetarët që jetojnë atje.

Presidentja Jahjaga tha se “dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe vlerësoi se të dyja vendet duhet ta ndihmojnë dhe jo ta kundërshtojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane”.

Ajo tha se zgjidhjet në këtë dialog duhet të jenë të bazuara në praktikat më të mira evropiane.

Anëtarët e delegacionit vlerësuan marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kosovën dhe theksuan nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve.

Deputetët e Unionit Inter-Parlamentar të Britanisë së Madhe i dhanë mbështetje aspiratave të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.