Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 16:24

Prishtinë- “Zgjedhjet lokale të Serbisë nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës”, tha sot Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, duke theksuar se “ky është qëndrim zyrtar i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në 1-vjetorin e zgjedhjes së saj në detyrën e presidentes, organizoi sot një takim me median, në të cilin falënderoi gazetarët për punën që bëjnë dhe për bashkëpunimin, iu përgjigj interesimeve të tyre, ndërsa foli për një varg zhvillimesh të rëndësishme për vendin, brenda një viti.

Duke folur për veriun ajo tha se së pari, një gjë duhet ta kemi të qartë, Kosova është shtet i pavarur dhe është sovran, ka integritetin e saj territorial, që është i pranuar ndërkombëtarisht.

“Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje as të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh, as të popullsisë, as në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë. Këtu kemi të bëjmë më shumë me tri komuna dhe mua më pengon shpesh kur përmendet veriu i Kosovës. Kemi të bëjmë me tre komuna nga 38 komuna gjithësej në tërë territorin e Kosovës, që janë në veri e që nuk banohen me më shumë se 50 mijë banorë dhe që janë në rreth 900 kilometra katrorë, mirëpo duhet ta dimë që kemi edhe mbi 80 mijë banorë të tjerë të komunitetit serb që jetojnë në pjesë të tjera të territorit të Kosovës që janë plotësisht të integruar në institucionet e Kosovës”, theksoi Presidentja kosovare.

Ajo sqaroi se edhe në Paketën Ahtisaari edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashikohet autonomia komunale, proces që nuk lejon as ndarjen, as vetëvendosjen e as shkëputjen që t’i bashkëngjitesh një shteti tjetër.

Ajo tha se për çështjet e brendshme të shtetit kosovar qëndrimet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë të qarta. “Për çështje të brendshme të Kosovës zgjidhja është vetëm përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe me askënd tjetër nuk do të bisedojmë për çështje te brendshme të Kosovës”, tha Presidentja Jahjaga, duke theksuar se zgjidhja është në zgjedhjet e Kosovës edhe në veri si në gjithë territorin e vendit. (LajmeShqip.com)