Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 13:31

Prishtinë – Presidentja Atifete Jahjaga tha sot në konferencën “Kosovo Talks EU” se, “Republika e Kosovës është bërë faktor i respektueshëm në rajonm duke zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore”.

“Ne dëshirojmë që marrëdhënie të tilla të kemi edhe me fqinjin tonë, Republikën e Serbisë dhe të arrijmë të gjitha ato marrëveshje dhe të nënshkruajmë të gjitha ato protokolle, që normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe që lehtësojnë jetën e qytetarëve”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Sipas saj, Kosova edhe Serbia mund të bëhen anëtare të BE-së, vetëm duke e ndihmuar njëra tjetrën, sepse e ardhmja e gjithë rajonit, e gjithë popujve tanë, është anëtarësimi në BE dhe në NATO.

“Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm, që është njohur nga 85 shtete të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo është e njohur edhe nga 5 nga 7 shtetet e rajonit të Ballkani” nënvizoi Jahjaga, duke shtuar se Kosova është njohur në tërësinë e saj territoriale, është ndërtuar në parimin qytetar dhe ka sovranitetin dhe subjektivitetin e plotë të saj.

Presidentja Jahjaga theksoi se, “për këtë, nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh dhe nuk ka zhvendosje të popullsisë”.

“Unë fuqimisht jam kundër këtyre opsioneve, sepse këto ishin opsione të shekullit të kaluar, dhe të cilat u sollën shumë dhunë dhe vuajtje popujve të të gjithë rajonit. Ne duhet të mësojmë nga historia, duhet të shohim jo nga e kaluara por nga e ardhmja. E tashmja nuk mund të jetë peng e së kaluarës”, tha ajo.

Presidentja Jahjaga ftoi serbët në veri, që të largohen nga barrikadat dhe t’u bashkohen bashkëkombësve të tyre në institucione, që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë demokratike, që bashkërisht ta ndërtojmë dhe zhvillojmë Kosovën në paqe, drejt synimit tonë të përbashkët – integrimin në familjen Evropiane”.

“Ne duam që serbët atje t’i gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse serbët në pjesët tjera të Kosovës”, theksoi ajo.