Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 14:24

Një dhuratë aspak të këndshme e mori kreu i Listës Serbe, Alleksandar Jabllanoviq pak orë para ditëlindjes së tij të 35-të. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, nga Beogradi ia përcolli porosinë: “Sa na përket neve, Aleksandër Jabllanoviq nuk është përfaqësues i Listës ‘Srpska’”.

Jabllanoviq për radio Dukagjinin tha se me Gjuriqin kanë pikëpamje të kundërta edhe rreth përzgjedhjes së kuadrove që do të përfaqësohen në institucionet e Kosovës.

 “Unë mendoj se zotëri Gjuriq e ka keqpërdorur pozicionin që i jep të drejtën që atë që e thotë të transmetohet në media. Qeveria e Serbisë, sipas informacioneve që kam, nuk ka marr asnjë vendim për shkarkimin tim, ashtu si më herët nuk ka marr vendim për emërimin tim në postin e kryetarit të Listës serbe, kështu që nuk shoh si mund të marr qeveria vendim për shkarkim nga posti ku nuk më ka emëruar me vendim. Kjo thjesht duhet të sqarohet, dhe mendoj se për këtë duhet ta kontaktoni, z. Marko Gjuriqin. Në rast se qeveria ka marr vendim të tillë, ai këtë vendim duhet ta parashtroi si argument për këtë pohim. Unë po e përsëris se Grupi parlamentar i Listës serbe mbetet unik në politikën që ka udhëhequr deri më tani. Unë vazhdoj të jem kryetar i Listës serbe dhe kjo do të jetë kështu, i pëlqej apo jo z.Marko Gjuriqit dhe disa serbëve në Kosovë”.

Jabllanoviq pranon se me Gjuriqin kanë pikëpamje të kundërta edhe rreth përzgjedhjes së kuadrove që do të përfaqësohen në institucionet e Kosovës. “Jabllanoviq këtë të drejtë ua lë serbëve të Kosovës, ndërsa Gjuriq dëshiron të ndërhyj”.

Për më tepër, në pah dalin edhe problemet procedurale. Jabllanoviq thotë se Gjuriqi nuk e ka emëruar në krye të Listës, andaj nuk e ka të drejtën që nga ky post ta largoj. Ai respekton mendimin e shumicës së deputetëve të Listës.

Thotë se nuk do t’i nënshtrohet presioneve, siç e quan, nga fushata e Marko Gjuriqit dhe poltronëve të tij në Kosovë.

 “Mund të them se këto janë thjesht presione të cilave unë nuk do t’u nënshtrohem. Por, në rast se Qeveria e Serbisë do të merrte qëndrim të prerë në formë të shkruar, se unë kam bërë gabim lidhur me jetësimin e politikës që nga ne ka kërkuar Republika e Serbisë, atëherë nga unë do të kërkohej qasje tjetër, me ç’rast do t’i rishqyrtoja të gjitha vendimet e mia të mëhershme dhe në përputhje me këtë qëndrim të Qeverisë së Serbisë, të bëjë, ndoshta ndryshime në të ardhmen. Atëherë largimi im nga Lista serbe nuk do të ishte diskutabile”.

Jabllanoviq ka mohuar të kenë qenë problem prurjet e reja në Listën Serbe. Ardhjen e Nenad Rashiqit e vlerëson të dobishme dhe fakt që dëshmon unitetin mes serbëve në Kosovë.

Në takim me Gjuriqin në Beograd, përveç zëvendëskryeministrit Branimir Stojanoviq ishin edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq, si dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.