Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 21:38

Ka qenë një prej mbesave të Niko Trimit nga fshati Stan i Lushnjës, e cila ka kapur në flagrancë bashkëshorten e tij, Edmondën, teksa fliste në telefon me një person të panjohur.

Prokuroria e Lushnjës ka zbardhur gjithë detajet për të cilat akuzohet 26-vjeçarja Trimi e cila u akuzua nga bashkëshorti i saj për ushtrim të dhunës dhe për tradhti.

Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar ndalimin e largimit jashtë shtetit të nënës së tre fëmijëve, pasi bashkëshorti i saj, Niko Trimi e ka falur dhe ka kërkuar që të kthehet në shtëpi me kushtin që të mos e tradhtojë më.

Sipas prokurorisë, nga hetimet paraprake ka rezultuar se Niko Trimi, me banim ne fshatin Stan Karbunarë të Lushnjës është i martuar me Edmonda Trimin dhe së bashku kanë sjellë në jetë tre fëmijë të moshës 7, 5 dhe 3 vjeç.

Nga hetimet është konkluduar se gjatë kohës së martesës, kallëzuesi ka pasur konflikte të herëpashershme me bashkëshorten e tij për shkak të motivit të xhelozisë.

Kjo, pasi 26-vjeçarja fliste shpeshherë me persona të panjohur duke anashkaluar kujdesin ndaj fëmijëve.

Më datë 9 gusht të këtij viti, në mesditë, Niko Trimi ka qenë duke punuar në dyqanin e tij, kur aty ka ardhur një e afërme e cila i ka thënë se gruaja ishte duke folur me dikë në telefon, duke nënkuptuar se biseda po kryhej me dikë me të cilin mund të kishte lidhje jashtëmartesore.

Në këto kushte, denoncuesi ka mbyllur dyqanin dhe së bashku me mbesën e tij kanë shkuar në shtëpi.

Kur ka mbërritur në banesë dera ka qenë e mbyllur dhe kur ka mundur të hyjë brenda i ka kërkuar bashkëshortes që t’i jepte telefonin që ta shikonte. Ajo e ka kundërshtuar dhe e ka thyer telefonin.

Në tentativë për të marrë telefonin Niko Trimi është goditur me grusht në fytyrë nga bashkëshortja, pikërisht në syrin e djathtë. Madje ajo edhe e ka çjerrë me thonj. Më pas e ka qëlluar edhe me sende të forta.

Ka qenë mbesa e 36-vjeçarit Niko trimi e cila ka ndërhyrë dhe i ka ndarë bashkëshortët.

Pas këtij momenti kallëzuesi ka shkuar në dyqan, ku është kthyer rreth orës 22.00 dhe e ka gjetur bashkëshorten në gjumë.

Të nesërmen rreth orës 07.00 të mëngjesit ka konstatuar se bashkëshortja ishte larguar nga banesa pa lënë asnjë adresë.

Ndërkohë, denoncuesi ka konstatuar se ajo kishte marrë me vete kartën e identitetit, pasaportën, si dhe teshat e saj.

Në kallëzimin e tij, Niko Trimi është shprehur se bashkëshortja është sjellë në mënyrë të dhunshme edhe me fëmijët e tyre.

Ndërkohë, dhunën ndaj bashkëshortit ajo rezulton ta ketë ushtruar në prani të fëmijëve të mitur.

Bazuar në ekspertimin mjekoligjor, në deklarimet e Niko Trimit e të mbesës së tij, fakti se e dyshuara i është fshehur hetimit dhe për shkak denoncuesi e ka falur dhe e i ka kërkuar të kthehet në shtëpi për t’u kujdesur për tre fëmijët e mitur, prokuroria ka konkluduar se ndaj 26-vjeçares Edmonda Trimi duhet të caktohet masa e sigurisë “Ndalim daljeje jashtë shtetit”. /shqip/