Lajme Shqip Saturday, 09 November 2013 15:45

Tiranë- Foto të tjera të bëra në fazën fillestare të punimeve të kompleksit “Jon” kanë zbuluar shkeljet e kryera në ndërtimin e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës. Një eskavator tregohet jashtë gropës ku do të ndërtohej pallati dhe se dyshohet se shërbente për shtyrjen e masës së gurëve në drejtim të detit.

Zbardhen foto të reja, që tregojnë se themelet e kompleksit “Jon” kanë hyrë në brendësi të shtratit të detit dhe se pallati në anën perëndimore të tij, është i mbështetur në kollona betoni, me qëllim shmangien e rrëshqitjes së objektit.

Gazeta “Shqiptarja.com”, ka mundur të sigurojë nga gjykata e Vlorës materiale nga dosja penale, ku për këtë çështje është marrë i pandehur shefi i Urbanistikës së bashkisë Vlorë, Odhise Zoto.

 

Fotot janë bërë gjatë fazës së punimeve të këtij objekti dhe se dallohet qartë se kompania “G.B.A Konstruksion” ka kryer punime në shtratin e detit me sondë, duke hapur gropa, dhe brenda tyre janë pilota me përbërje hekuri dhe betoni, me qëllimin e vetëm shmangien e rrëshkitjes së objektit kur të dilte në sipërfaqe por dhe për të ndalur rëshkitjen e masës së gurëve që mereshin nga hapja e gropës dhe hidheshin brenda në det.

Nga sa mësohet fotot në fjalë janë bërë nga inspektorët e INUK që në atë periudhë drejtohej nga Gjergji Bojaxhi, dhe se të gjitha materialet në muajin Shkurt i janë referuar prokurorisë së Vlorës, për hetime të mëtejshme.

 

Eskavatori në kantier

Gjatë inspektimit të punës në kompleksion “Jon” specialistët e INUK në atë kohë kanë dokumentuar me dhjetëra foto dhe procesverbale shkeljet që ishin kryer në kantier. Mes disa fotove, është fiksuar dhe një eskavator që ka qënë duke punuar jashtë gropës, ku është ndërtuar kompleksi “Jon”. Sipas dokumentacionit të asaj kohe të përpiluar nga INUK, ky eskavator ka shërbyer si mjet për shtyrjen e masivit të gurëve në drejtim të vijës bregdetare, pasi ato nxireshin nga gropa që hapej për pallatin.

Hedhja e masivit të gurëve brenda në det ka bërë që toka të shtohet në një distancë rreth 50 metra larg pozicionit të mëparshëm, duke krijuar një sipërfaqe artificiale të truallit. Më pas kjo sipërfaqe është arritur të hipotekohet në kundërshtim me të gjitha rregullat ligjore.
 
Trualli trekëndor

Nga një fotografim i bërë nga ajri, rezulton se sipërfaqja ku është ndërtuar kompleksi “Jon” ka një formë trekëndore. Mirëpo pavarësisht kësaj, pallati 8 katësh në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës, nuk ka një formë të tillë. I parë nga fotografimi ajror ai ka një formë krejt të kundërt me atë që ka trualli në të cilën është ndërtuar. Pikërisht në fotot ajrore, dallohet qartë se kompleksi “Jon” ka hyrë në ujin e detit.