Lajme Shqip Sunday, 20 March 2011 06:49

Tiranë – Korrupsioni për shkak të detyrës, përmes ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë veprimtari publike, çoi në pranga mbrëmjen e së shtunës 9 persona, të cilët akuzohen se, në bashkëpunim me njëri tjetrin, në premtim të favoreve të paligjshme, si dhe trukim të ndeshjeve të futbollit, kanë përvetësuar shuma të konsiderueshme të hollash.
Policia e Shtetit bëri të ditur se pas një hetimi për rreth një vit, strukturat e Antikrimit Financiar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim edhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore “Task Force” pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, bënë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale dhe arrestimin e shtetasve Paro Laçi, 42 vjeç, President i ekipit të futbollit të Rubikut,  Edmond Temali, 42 vjeç, nga Shkodra, Agron Arusha, 36 vjeç, nga Velipoja,  Bledar Kume, 25 vjeç, nga  Laçi,  Kozma Kule, 52 vjeç, nga  Berati, Shkëlqim Balliu, 45 vjeç, gjyqtar sportiv në Berat,  Endri  Dimo, 20 vjeç, nga Elbasani, Altin Xhura, 34 vjeç, tregtar gomash në Dibër si dhe  Agron Laçi, 34 vjeç, nga  Tirana.
Në deklaratën e Policisë thuhet gjithashtu se shtetasi Paro Laçi, në bashkëpunim me të arrestuarit e tjerë, në këmbim të premtimeve për ushtrim të paligjshëm për dhënie licence në fushën e minierave, ka përfituar 40 mijë euro.
Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e sipërpërmendur, kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, me qëllim ndërmjetësimin në dhënien e pafajësisë për një të dënuar për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.
Tetë të arrestuarit akuzohen, gjithashtu, se kanë trukuar ndeshje futbolli, duke paracaktuar rezultatet e garave sportive, si dhe duke dhënë shuma parash.
Të arrestuarit do të përballen me akuzat e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “paracaktimit të rezultateve në garat sportive”.