Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 12:20

Tiranë-Prej 11 ditësh vijojnë problemet nga moti i keq kryesisht në zonat veriore të vendit. Rrugë të bllokuara nga dëbora, komuna që prej ditësh nuk komunikojnë dot me qytetet, shpesh njoftohen situata emergjence shëndetësore, ndërsa janë shtuar ankesat për mungesa ushqimore.

Bora që prej disa ditësh nuk ka të pushuar në veri ka shkaktuar një izolim total të zonave të Pukës nga pjesa tjetër e vendit. TV News24 njofton se të gjitha akset këtë mëngjes rezultuan të bllokuara dhe paraqitet shumë e vështirë hapja e rrugëve për shkak të borës që vijon të bjerë me intensitet.

E pamundur rezulton lëvizja dhe brenda në qytetin e Pukës, ku këtë mëngjes njerëzit janë përballur me një trashësi bore rreth 1 m në rrugë që ka bërë të pamundur levizjen. Në këtë zonë prej ditësh është pezulluar mësimi deri në një përmirësim të kushteve atmosferike.

Por një situatë po aq shqetësuese vërehet dhe në Kukës. Në qytet trashësia ka arritur 85 cm dhe 2.5 m në fshatra. Reshjet e dëborës janë aq të dendura sa kanë vështirësuar ndjeshëm edhe lëvizjen në akset rrugore brenda qytetit të Kukësit, ku është bërë urgjente ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për hapjen e rrugëve brenda qytetit. Sot ne mengjes të gjitha zonat rurale në rrethin e Kukësit janë ribllokuar sërish si pasojë e reshjeve të pandërprera të dëborës, që vazhdojnë me intensitet të lartë.

Momentalisht aksi Morinë-Kalimash është i kalueshëm, por me vështirësi dhe me zinxhirë. Për mbajtjen hapur të këtij segmenti është angazhuar i gjithë arsenali i mjeteve borëpastruese të firmave kontraktore. Të bllokuar janë akset Krumë-Bajram Curri, Bajram Curri-Qafë Morinë, Kukës-Shishtavec,Kukës-Bushtricë, Kukës-Peshkopi dhe Kukës-Krumë i bllokuar.

Kjo ka sjellë ribllokimin thuajse të plotë të disa komunave të këtij rrethi. Aktualisht në rrethin e Kukësit janë të izoluar komunat e Zapodit, Shishtavecit, Topojanit, Grykë Cajës, Kalisit, Bushtricës, Malziut, Surrojit dhe Arrnit.

Reshjet e dendura të dëbora kanë riizoluar thuajse tërësisht edhe rrethet e hasit e të Tropojës. Në të dy këto rrethe po punohet nga mjetet borëpastruese për mbajtjen hapur të akseve rrugore që i lidhin këto rrethe me Kosovën, gjë që deri tani është arritur megjithë dëborën e dendur që vazhdon të bjerë.

Të izoluara janë dhe komunat e Bulqizës, Peshkopisë, komuna Ostren. Në këtë komunë u shfaq një rast emergjence me një fëmijë të sëmurë me temperaturë. Familjarët kanë qarkulluar në borë me fëmijën në krahë derisa kanë mbërritur në rrugë të hapur dhe me makinë kanë mbërritur në spitalin rajonal të Bulqizës.

Me vështirësi kalohet në akset Peshkopi-Qafë Buall, ndërsa akset e tjera rezultojnë të bllokuara. Në Bulqizë e Peshkopi rezultojnë të bllokuara të gjitha komunat.

Vështirësi raportohen dhe nga zona e juglindjes së vendit në Korcë e Pogradec ku bora po bie me intensitet të madh. Situata që po vijon prej ditësh ka shkaktuar emergjenca në shëndet dhe ushqime. Qeveria aktualisht ka ngritur shtab emergjence dhe po operon me ndihma ushqimore nga toka dhe ajri.