Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 20:54

Tiranë- Partia Socialiste mblodhi sot komisionin e emergjencave, ku diskutoi mbi planin e masave që duhet të merren për të përballuar situatën e krijuar në vend për shkak të motit të keq, që ka bllokuar kryesisht zonat në veri dhe juglindje të vendit.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama bëri thirrje për një organizim të shpejtë dhe emergjent në zonat e izoluara nga dëbora. Ai falënderoi kryetarët e komunave dhe bashkive për angazhimin që po tregojnë në ndjekjen e kësaj situate, ndërsa bëri një përmbledhje të situatës më të fundit në të cilën gjenden këto zona.  

Duke informuar mbi vizitën e tij të sotme në Librazhd, Rama tha se “në sajë të solidaritetit njerëzor, PS ka shpërndarë ndihma në të gjitha këto zona të izoluara nga bora, ku mungonte dora e shtetit”. Sipas tij “në këto kushte kërkohet ndërhyrje në buxhetin e shtetit për t’u ardhur në ndihmë banorëve”.

“Duhet një organizim i shpejtë dhe emergjent në kushtet ku strukturat e emergjencës civile në vend kanë degraduar vit pas viti dhe ku ligji i emergjencave bën të qartë se përgjegjësia në situata të tilla është e qeverisë”, tha ai.

Në këtë mbledhje u paraqitën masat e PS-së për nxjerrjen e vendit nga situata e krijuar ditët e fundit.

Rama nënvizoi se plani i opozitës përmban këndvështrim të gjërë larg ndikimit partiak, ndërkohë që sipas tij paraprin të sotmen dhe parashikon të ardhmen.

“I gjithë ky plan përmban këndvështrim të gjërë me domosdoshmërinë për të parashikuar të sotmen dhe për ti paraprirë të nesërmen. Është vërtëtë për të ardhur keq, që në këtë sfidë të madhe ne kemi para syve sic e kanë njërëzit që përballen me vështirësitë çdo ditë, degradimin e shtetit tonë që është i papërgatitur për një situatë të tillë. Për cka u tha sot, por edhe me shkatërrimin e pronës njerëzore ne nesër i dërgojmë në Kuvend. Duhet që në mënyrë këmbëngulëse dhe të qartë ta paraqesim planin si një domosdoshmëri që nuk ka të bëjë me interesin partiak, por me interesin e vendit. Në emër të interesit të vendit ne jemi të gatshëm të votojmë çdo buxhet të vendit që shkon në adresimin e emergjencave, të votojmë çdo ndryshim që shkon në ndihmë të familjeve”,- theksoi Rama.

Rama akuzoi qeverinë se nuk është e aftë të krijojë një plan të tillë masash, ndërsa u shpreh se kryeministri Berisha do të largojë vëmendjen nga kjo situatë me cdo kusht. “Qeveria nuk ka as plan dhe as aftësi për të ndërtuar një plan. Kryeministri flet për gjuhën kineze si gjuhë të dytë të detyruar, në një kohë që njerëzit duan të dinë cilët janë masat që ka marrë qeveria për t’i ardhur në ndihmë këtyre njerëzve. Kryeministri ka për qëllim vetëm të largojë vëmendjen nga kjo situatë”, tha Rama. (LajmeShqip.com)