Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 20:20

Tiranë (PLOTESUAR 14 Shkurt, 22:10) Kryeminisitri Sali Berisha, kujtoi sot gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave se, dëbora ka mbuluar gjithë Euopën, por në asnjë vend opozita nuk vepron si në Shqipëri, ku Rama, përdor të vdekurit për kapital politik.

“Më duhet ti them zotit Edi Rama që bën ciu ciu nga mëngjesi deri në darkë se emergjencat janë çështje e burrave dhe grave të guximshëm, të vendosur dhe kurajozë. Je i vetmi sot në Evropën e mbuluar nga dëbora që bën korbin. I them ti që përpiqesh të nxjerrësh kapital politik nga një situatë e tillë. Je i vetmi dhe je unik që bën kasandrën e së keqes. Që na thua se pas borës do vijë përmbytja e pas saj dita e fundit”-tha Berisha.

Pra ky zotëri, vijoi Kryeministri Berisha, “ka organizuar një rrjet dizinformimi të paskrupullt me telefonata njofton se këtu u shembën 10 shtëpi e në katër shtëpi janë zënë brenda të tjerët.

“Më e keqja, në raportin e tij fatal me vdekjen ky njeri ka kulturë të vetme përdhosjen e kodit të vdekjes. Sot nga selia e partisë së tij citonte një familje në Margegaj të një intelektuali të shquar, ku thonin se nëna e tij ka mbetur mbi dhe’ dy ditë. Ai ka një pasion të çmendur për ti përdhosur të vdekurit”, tha Kryeministri duke shtuar se, “I them kodin duhet ta repsektosh si kushtin kryesor për një njeri të qytetëruar.

“Nuk je i zoti të ndihmosh shpif, trillo, sa të mundesh, por me të vdekurit mos u merr. Lëri në paqen që meritojnë. Nuk mund të bëhen ato objekt i politizimeve. Duhet të ulësh kokën para dhimbjes njerëzore dhe jo të dalësh çdo ditë si korb dhe të mbjellës vetëm zi. Kjo është në kundërshtim edhe me frymën e socialistëve”, përfundoi Kryeministri Berisha.

*************************

Tiranë- Partia Demokratike akuzoi të martën kryetarin e PS-së, Edi Rama se po synon të përfitojë politikisht nga fatkeqësia natyrore e dëborës, që ka goditur disa zona të vendit.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj reagoi ndaj deklaratave të kreut të PS-së për situatën e emergjencës, duke u shprehur se “Edi Rama qan me lot gëzimi problemet e krijuara nga fatkeqësia natyrore”.

“Si në të gjitha rastet e fatkeqësive natyrore, të përmbytjeve, njeriu që dikur bënte grevë urie për të bllokuar liberalizimin e vizave për të gjithë shqiptarët, këto ditë duket se fërkon duart e hedh lot krokodili, duke shpresuar se do të mundë të nxjerrë përfitime politike nga një fatkeqësi natyrore që ka pllakosur jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë Evropën, në të cilën kanë humbur jetën mbi 620 persona”, tha zëdhënësja.

“PD i thotë Edi Ramës se këto qëndrime dhe sulme në kohë të fatkeqësive natyrore, dëshmojnë vetëm primitivizmin e moralit njerëzor.

Një ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama mblodhi komisionin e emergjencave në një mbledhje të jashtëzakonshme, lidhur me situatën e rëndë në veri dhe juglindje të vendit.

Kreu i opozitës Edi Rama përsëriti se kryetarët socialistë të komunave në zonat veriore, janë të angazhuar bashkë me deputetët për të bërë gjithçka është e mundur, pavarësisht mundësive të tyre të kufizuara.

Sipas Ramës për këtë duhet një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake. Ai kritikoi edhe mungesën e planit nga ana e qeverisë për të përballuar krizën energjitike ishte një tjetër pikë e rëndësishme, e cila u diskuta gjatë takimit të komisionit të emergjencave. (LajmeShqip.com)