Lajme Shqip Wednesday, 18 May 2011 14:30

Beograd – Zëvendësshefi i Qeverisë së Serbisë Ivica Daçiq deklaroi se nuk është reale që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë dhe se ndarja është zgjidhje e problemit të statusit duke shtuar se raportet ndërkombëtare janë të tilla, që Kosova nuk është e mundur të mbetet pjesë e Serbisë. 

Ai i bëri thirrje palëve që kritikojnë ndarjen, që të nxjerrin propozimet e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje por ai ka thënë se për çështjen e Kosovës nuk ka biseduar asnjeherë me kreun e Partisë Demokratike, me të cilin partia e tij është në koalicion.

Çështjen e ndarjes e vunë në spikamë edhe faktorët ndërkombëtar edhe para fillimit të bisedimeve teknike Prishtinë-Beograd, por ata kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun e efektit domino, përfshirjen e shteteve të Ballkanit në korrigjimet e vijave kufitare administrative.

Nëse ndarja e Kosovës do të bëhej temë e shqyrtimeve serioze, atëherë Lugina e Preshevës, Sanxhaku, Maqedonia perëndimore, Plava, Gucia e Ulqini e deri në Çamëri do të mund të shtroheshin në tavolinën ku bisedohet për ndarjet e shteteve ballkanike sipas parimit etnik.