Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 14:58

Mitrovicë – Demonizohet edhe një serb tjetër udhëheqës në veri. Oliver Ivanoviq, sekretar në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar për mediat në veri se nuk mund t’i besojmë KFOR-it, ndërsa “ndërtimi i urës në Prilluzhë sjellë pasiguri për serbët”.

Ivanoviq ka thënë se “serbët nuk mund t’i besojnë komandantit të KFOR-it, gjeneralit Buhler, derisa ai gjatë tërë kohës i mbanë ushtarët e tij te ura që po ndërtohet në Pirlluzhë, derisa serbët lokalë e kundërshtojnë atë”.

“Ura është e nevojshme edhe për serbët, por serbët i kanë përjashtuar nevojat e veta për urë, për shkak të rrezikut që gjatë natës mund të sjellë kjo urë në lëvizjen e njerëzve të padëshiruar”, ka thënë Ivanoviq.

Sipas tij, “serbët e Prilluzhës e kundërshtojnë urën, për shkak se komunikacioni për fshatrat shqiptare do të përqendrohet përmes të fshatit dhe me këtë do të rrezikohet siguria e serbëve”.

Ura në Prilluzhë është duke u ndërtuar në vendin që ka qenë që para luftës, derisa ushtria dhe policia Serbisë e shkatërruan atë. (LajmeShqip.com)