Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 20:22

Prishtinë – Sekretari shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se bisedimet e filluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjasin aq sa do të ketë nevojë, mbase deri në 10 vjet.

Në një interviste për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se ky dialog është i vështirë, pasi që të dy palët nuk kanë komunikuar mes vete, me siguri, në 15 vjetët e fundit.

Edhe pse po thuhet se bisedimet janë teknike, Ivanoviq ka thënë se nuk ka tema të pastra teknike dhe se të gjitha ato prekin në domenin politik.

Sipas tij, askush nga serbët nuk e respekton pavarësinë e Kosovës dhe se askush nuk i respekton institucionet, të cilat janë themeluar me pavarësinë e Kosovës.

Ivanoviq ka mohuar se ndarja e veriut të Kosovës ka qenë dhe është ide e dikujt në Serbi.