Lajme Shqip Saturday, 07 April 2012 13:22

Prishtinë-Sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjidhja e ofruar nga Plani i Ahtisaarit, por pa iu përmendur emri, të jetë e mundshme për veriun.

Sipas tij, mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjes së veriut është dialogu. Zyrtari që prej pasluftës ka përfaqësuar serbët e Kosovës edhe në institucionet e përkohshme të Kosovës, ka thënë se çdo zgjidhje për veriun do të pranohet vetëm atëherë kur Beogradi do të pajtohet, për shkak të mosbesimit që kanë qytetarët e veriut tek Qeveria e Kosovës.

“Kurrfarë iniciative që vjen nga Prishtina nuk has në besimin e qytetarëve të veriut, thjesht ekziston një mosbesim aq i madh sa që dyshoj. Pra dyshoj që iniciativa të njëanshme mund të shtyhen përpara. Rruga e vetme për zgjidhjen është dialogu, ndërsa versioni përfundimtar i marrëveshjes duhet të vijë nga Beogradi, ngase në të kundërtën mund të mos pranohet për shkak të mosbesimit kaq të madh”, ka thënë Ivanoviç.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë dhe ai i Francës kanë thënë se zgjidhja për veriun e Kosovës duhet të përmbajë Ahtisaarin, por pa e përmendur emrin e tij, për shkak të refuzimit që serbët kanë ndaj pavarësisë së Kosovës që ishte pjesë e asaj pakoje.